OVLUÇK e shqetësuar për shkak të shpërdorimit të buxhetit për pensione
Prishtinë, 26 janar - Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK) është shprehur e shqetësuar për shkak të shpërdorimit të buxhetit të vitit të kaluar prej 24 milionë eurosh, i ndarë për pensionet e veteranëve, pasi janë shfrytëzuar vetëm 5.5 milionë, kurse të tjerat nuk dihet se ku kanë shkuar.
Qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasysh se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) nuk mund e as që ndërhyn në fondet se ku i dërgon shteti, e këtë FMN-ja na e kanë thënë edhe neve në takimin e datës 21 janar 2016, prandaj të mos bëjnë lojëra me veteranët sepse arsyetimi i tyre për numër të madh të veteranëve dhe aplikuesve për pensione, nuk na takon neve e as veteranëve por shtetit, i cili për çdo shkelje ligji duhet të marrë masa ligjore ashtu siç edhe parashihet në ligj. Shpërdorimi i 18.5 milionëve të vitit të kaluar kërkojmë të kompensohet nga 700-milionëshi i Fondit të Privatizimit dhe tu kryhen pagesat të gjithë veteranëve ashtu siç e parasheh ligji, më pastaj në buxhetin për vitin e ardhshëm të planifikohen mjete financiare, me qëllim që të mos ketë asnjëherë këso probleme, është thënë në komunikatën e OVLUÇK-së.
Sipas kësaj organizate, nëse Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave dhe Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale, vazhdojnë edhe më tutje me anarki institucionale, atëherë do të përballen me protesta masive të veteranëve të luftës së UÇK-së.