OSBE trajnon policinë e Kosovës në mbrojtjen e fëmijëve
Prishtinë, 21 dhjetor - Një trajnim dyjavor i organizuar nga Misioni i OSBE- për 13 policë me temë mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e delikuencës te të miturit ka përfunduar më 21 dhjetor 2012 në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Trajnimi është fokusuar në arsyet kryesore që shkaktojnë delikuencën te të miturit dhe masat parandaluese, dhunën ndaj fëmijëve dhe viktimizim e tyre, si dhe hetimin e rasteve kriminale ku të miturit janë të përfshirë si viktima, të pandehur, dëshmitarë apo ofrues të informacionit.
Policët e Kosovës nuk kanë ndjekur më herët ndonjë trajnim të specializuar për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e delikuencës te të miturit, tha togere Tahire Haxholli. Ky trajnim do të ndihmoj policinë të mbroj më mirë të drejtat e fëmijëve, si dhe do të kontribuojë gjatë procesit të themelimit të njësive rajonale që merren në mënyrë specifike me mbrojtjen e fëmijëve dhe delikuencën te të miturit.
Pjesëmarrësit në trajnim kanë mësuar edhe si të detektojnë dhunën psikologjike kundër fëmijëve, abuzimin online dhe shfrytëzimin seksual.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtje dhe promovim të të drejtave të njeriut, demokratizim dhe zhvillim të sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon hartimin e strategjive të sigurisë publike dhe ofron trajnime të avancuara për policinë dhe agjencitë për zbatimin e ligjit.