OSBE trajnon pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri
Vushtrri, 19 gusht - Një trajnim pesë-javor i organizuar nga Misioni i OSBE-së për 36 policë të Njësive për Reagim të Shpejtë të Policisë së Kosovës nga Mitrovica e Veriut me temë teknikat e arrestimit dhe vetë-mbrojtjes duke respektuar të drejtat e njeriut ka përfunduar sot në Vushtrri.
Duke u fokusuar në rolin e policëve për reagim të shpejtë si reagues të parë në situata që kërkojnë intervenim të policisë, pjesëmarrësit u trajnuan se si të përdorin mjete policore si Tonfa - mjet që përdoret për të kryer arrestime dhe për tu vetë-mbrojtur; dhe si të përdorin forcën duke mos shkelur të drejtat e njeriut në ato situata.
Dy fazat e kursit, secili nga dy javë, u pasuan me një kurs një-javor trajnimi për trajnerë për 11 nga pjesëmarrësit për ti pajisur ata me shkathtësitë e nevojshme në mënyrë që ata pastaj të ndajnë njohuritë me kolegët e tyre.
Pajisjet e duhura dhe trajnimet janë dy elemente vendimtare që i ndihmojnë policisë të bëjë punë efektive, tha Ake Roghe, Drejtor i Departamentit për Siguri dhe Rend Publik në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Duke ditur si ta përdorin Tonfën, policët e njësive për reagim të shpejtë të vetmit që janë të pajisur me këtë mjet mund të bëjnë arrestime në mënyrë më efektive, duke siguruar siguri maksimale për personin e arrestuar, dhe të neutralizojnë rrezikun për policin, kolegët e tij apo të saj, dhe të tjerët.
Me efikasitet të shtuar në përdorimin e pajisjeve policore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë intervenimit të policisë, si dhe me shpërndarje të gjerë të njohurive të marra gjatë trajnimit në mesin e policëve përmes trajnerëve të rinj, besojmë se kontributi ynë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë publike për të gjitha komunitetet në Kosovë, tha Roghe.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimine zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni rregullisht ofron trajnime të avancuara dhe të specializuara, si dhe këshilla për agjencitë për zbatim të ligjit për të përmirësuar më tej kapacitetet e tyre.