OSBE thirrje institucionale ndaj riuzurpimit të paligjshëm të pronës
Prishtinë, 19 shkurt Rastet e riuzurpimit të pronës kërkojnë përgjigje të vendosur nga institucionet e Kosovës në mënyrë që të garantohet mbrojte e plotë e të drejtave pronësore të të gjitha komuniteteve në Kosovë, përfundon raporti i Misionit të OSBE-së i publikuar sot.
Raporti shqyrton përgjigjen e institucioneve të Kosovës në rastet kur prona e administruar nga Agjencia Kosovare e Pronës (AKP) dhe që ka qenë subjekt i urdhrit për dëbim është uzurpuar përsëri. Nga viti 2008 deri në 2013, AKP ka referuar 326 raste të tilla te prokurorët, shumica e të cilave kanë të bëjnë me prona të pjesëtarëve të komunitetit serb të Kosovës.
Raporti gjen disa mangësi, të cilat rrezikojnë efikasitetin e përgjigjes institucionale në rastet e riuzurpimit të paligjshëm. AKP, Policia e Kosovës dhe prokurorët duhet të përmirësojnë koordinimin e tyre në zbatimin e urdhrave për dëbim; prokurorët duhet të ngritin aktakuza të duhura kundër uzurpatorëve; procedurat gjyqësore duhet të përfundojnë me kohë; dhe dënimet adekuate duhet të shkojnë paralelisht me kompensimet për pronarët.
Prezenca e vazhdueshme e uzurpimit të paligjshëm në Kosovë është shqetësuese, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
Duhet të bëhen përpjekje për të zbatuar dëbimet dhe për të ndalur përsëritjen e kësaj kundërvajtje në të ardhmen, shtoi ai.