OSBE: Qendrat e paraburgimit në Kosovë të mbipopulluara
Prishtinë, 29 dhjetor - Kushtet e jetesës në objektet e paraburgimit janë të kënaqshme, por ende ka disa çështje që institucionet relevante duhet ti adresojnë, thuhet në një raport të publikuar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Raporti, me titull Kushtet në qendrat e paraburgimit në Kosovë, vlerëson kushtet e jetesës në qendrat e paraburgimit në tërë Kosovën. Ai konstaton që kushtet janë, në përgjithësi, të kënaqshme. Mirëpo, mungesa e hapësirës dhe grumbullimi i tepërt janë çështje që duhet të zgjidhen në disa qendra të paraburgimit. Çështje tjera që paraqesin shkak për shqetësim janë ndriçimi joadekuat natyral dhe qarkullimi i ajrit në disa qeli, tualetet dhe dushet në gjendje të keqe, si dhe objektet joadekuate në vendet për stërvitje në disa qendra të paraburgimit.
Raporti që bazohet në aktivitete të monitorimit të Misionit gjatë vitit 2009 dhe 2010 do të duhej të shërbejë si një mjet për institucionet relevante për trajtimin e mangësive të identifikuara. Raporti lavdëron bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të shërbimit korrektues në kryerjen e aktiviteteve të monitorimit të paraburgimit në Kosovë.
Në përgjithësi, standardet në qendrat e shërbimit korrektues në Kosovë janë të kënaqshme. Sidoqoftë, duhet të bëhen përpjekje për të siguruar që madhësia e qelive të jetë e mjaftueshme për numrin e të paraburgosurve dhe të plotësohen standardet ndërkombëtare, tha Susan Heintz, Drejtore e Departamentit të OSBE-së për të Drejta të Njeriut dhe Komuniteteve.
Institucionet lokale duhet të përpiqen më tepër që të themelojnë një mekanizëm të qëndrueshëm vendor për monitorim të qendrave të paraburgimit. Një mekanizëm i tillë do të koordinonte punën e organizatave të ndryshme vendore dhe institucioneve që punojnë në fushën e monitorimit të qendrave për paraburgim, shtoi ajo.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar për monitorimin e të drejtave të njeriut dhe vlerësimin e efikasitetit të institucioneve në parandalimin potencial të shkeljes së të drejtave të njeriut. Misioni do të bëjë ri-vlerësime periodike me qëllim të matjes së ndryshimeve dhe përmirësimeve të qendrave të paraburgimit në Kosovë. Gjithashtu, Misioni do të vazhdojë të mbështesë krijimin e mekanizmave vendor për monitorimin e qendrave të paraburgimit.