OSBE publikon raportin vlerësues për të drejtat e komuniteteve
Prishtinë, 17 dhjetor - Misioni i OSBE-së në Kosovë do të prezantojë sot në Prishtinë edicionin e katërt të Raportit Vlerësues për të Drejta të Komuniteteve para përfaqësuesve të institucioneve vendore, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.
Raporti vlerëson përparimin e arritur nga institucionet e Kosovës në respektimin e Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në fushat e dialogut ndërmjet komuniteteve, sigurisë dhe drejtësisë, gjuhës, arsimit, kthimit, kulturës dhe mediave.
Raporti gjen se përkundër përparimit të arritur në fusha të caktuara, mbetet shumë për tu bërë për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. Raporti jep edhe rekomandime për institucionet relevante se si të përmirësojnë zbatimin e Konventës Kornizë.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Jean-Claude Schlumberger, Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë Isabelle Servoz-Gallucci dhe Zëvendës Shefi i Stafit në Zyren e Kryeministrit Valon Murtezaj do të mbajnë fjalime hyrëse, që do të pasohen me një prezantim të raportit dhe një sesion me pyetje e përgjigje për media.