OSBE nis sesione informuese me komunitetet jo-shumicë për t'iu bashkuar Policisë
Prishtinë, 11 maj - Misioni i OSBE-së në Kosovë mbajti dje në Graçanicë takimin e parë nga gjithsej gjashtë sa do të mbahen me të rinj të komuniteteve jo-shumicë për t'i informuar ata rreth mundësive të punësimit në Policinë e Kosovës dhe për t'i njoftuar me procedurat e rekrutimit.
Takimet do të zhvillohen së bashku me policinë në rajone të ndryshme në mbarë Kosovën dhe po mbahen në mbështetje të fushatës së Policisë së Kosovës për rekrutim.
Në këto sesione, pjesëmarrësit do të mësojnë për procedurat e aplikimit për t'ju bashkuar policisë, duke u përqendruar veçanërisht në kriteret e rekrutimit dhe procesin e përzgjedhjes, përfshirë edhe testet me shkrim, ato fizike dhe psikologjike. Ata do të mësojnë edhe për trajnimin bazik profesional të policisë dhe për rëndësinë e punës së policisë për të kontribuar për komunitetet të cilave u shërbejnë.
“Edhe pse korniza ligjore ofron mbrojtje adekuate dhe përfshirje të barabartë të të gjitha komuniteteve në radhët e policisë, përfshirja e komuniteteve jo-shumicë mbetet sfidë për policinë”, tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Një forcë policore diverse dhe përfaqësuese i shërben më mirë publikut. E përgëzojmë Policinë e Kosovës për përpjekjet e saj për t’iu qasur të gjitha komuniteteve, duke ofruar informacion të dorës së parë dhe përgjigjur pyetjeve, dhe duke i motivuar njerëzit që të bëhen pjesë e saj për të ofruar siguri për komunitetet e ndryshme të Kosovës”, shtoi ai.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtën dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.
Përveç trajnimeve të specializuara dhe mundësive zhvillimore për policinë, Misioni punon me Policinë e Kosovës për të shtuar edhe më tej pjesëmarrjen e komuniteteve jo-shumicë dhe grave në radhët e saj.
Një video mesazh nga Ambasadori Davenport në mbështetje të kësaj fushate mund ta shikoni këtu: (1) Facebook