OSBE lanson Udhëzuesin për mekanizmat komunal kundër dhunës në familje
Prishtinë, 16 maj - Misioni i OSBE-së në Kosovë do të publikojë të mërkurën Udhëzuesin për punë efektive të mekanizmave koordinues komunal kundër dhunës në familje (MKKDHF), të mbështetur nga Qeveria e Francës.
Qëllimi i MKKDHF-ve është që të përmirësojnë bashkëpunimin ndërinstitucional në rastet e dhunës në familje dhe reagimin e politikave institucionale në nivel lokal.
Udhëzuesi, i cili do të jetë në dispozicion në gjuhën shqipe, serbe dhe turke, është mjet praktik për të lehtësuar reagimet efektive dhe të koordinuara ndaj dhunës në familje në nivel lokal.
Ai mbulon bazën ligjore dhe qëllimin e MKKDHF-ve, rëndësinë e një qasjeje shumë-institucionale dhe të koordinuar, mbledhjen dhe raportimin e të dhënave, si dhe trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve për anëtarët e MKKDHF-ve.
Udhëzuesi vjen si rezultat i një sërë konsultimesh me anëtarët e MKKDHF-ve të themeluara në mbarë Kosovën, duke përfshirë MKKDHF-të e Prishtinës, Graçanicës, Mitrovicës së Jugut dhe Mamushës.
Fjalët hyrëse do t’i mbajnë Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Ambasadori Francez Olivier Guérot.