OSBE kërkon nga Kosova tu ofrojnë siguri të kthyerve
Prishtinë, 12 tetor - Zëvendës Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, sot shprehu shqetësim lidhur me plaçkitjet dhe vjedhjet e fundit që kanë ndodhur te të kthyerit në fshatin Bablak në komunën e Ferizajt.
Javën a kaluar janë raportuar katër prona të plaçkitura, ndërsa varrezat lokale ortodokse ishin dëmtuar me zjarr. Për më tepër, dhjetë prona janë vjedhur dhe plaçkitur në muajt gusht dhe shtator.
Incidente të tilla krijojnë ndjenjën e pasigurisë dhe cenueshmërisë ndër këtë komunitet të vogël të të kthyerve. Situatat sikur kjo në Bablak kanë ndikim negativ në procesin e kthimit në përgjithësi në Kosovë, tha Joseph.
Ndërsa Misioni është në dijeni për veprimet e deritanishme, unë u bëj apel autoriteteve që të bëjnë më tepër në mënyrë që të ofrojnë siguri për të kthyerit në këtë fshat dhe në mbarë Kosovën."
"Për të mbrojtur pronën, vendbanimin dhe tokën bujqësore duhet një përqendrim i veçantë. Hapi i parë i mirë do të ishte që në mënyrë proaktive të arrihet deri te komunitetet e dëmtuara dhe që publikisht të dënohen këto incidente.
Përderisa incidentet e mëparshme në Bablak kishin dëmtuar pronën e cila nuk ishte shfrytëzuar kohëve të fundit, plaçkitjet dhe vjedhjet e fundit patën cak shtëpitë që për pak ditë ishin të pabanuara.
Kjo kishte shkaktuar frikë mes komunitetit të kthyer që kishin filluar të banojnë se mund të jenë në shënjestër në të ardhmen, duke rezultuar në një kërcënim të drejtpërdrejtë të sigurisë së tyre personale.
Incidentet e tilla prekin shumë vende tjera të të kthyerve dhe këto bëjnë thirrje për një përgjigje më të gjerë nga institucionet përgjegjëse.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Misioni do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë proaktive respektimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve në tërë Kosovën dhe do vazhdojë të angazhohet me institucionet vendore dhe komunitetit që të ndihmojë në promovimin e sigurisë dhe krijimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë njerëzit janë të mbrojtur.