OSBE e interesuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

Prishtinë, 30 maj Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka pritur në takim pune shefin e OSBE-së, Ambasadorin Jean-Claude Schlumberger.
Në këtë takim, ministri Rexhepi informoi Ambasadorin Schlumberger rreth përgatitjeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës për garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët gjatë procesit zgjedhor si dhe ofrimin e kushteve të nevojshme të sigurisë gjatë të gjitha fazave para, gjatë dhe pas votimeve të 8 qershorit 2014.
Në këtë drejtim, Policia e Kosovës ka hartuar një udhërrëfyes për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës ku precizohen përgjegjësitë e Policisë së Kosovës në kryerjen e detyrave të saj gjatë procesit zgjedhor në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, Ambasadori Schlumberger informoi Ministrin Rexhepi rreth rolit lehtësues dhe përkrahës që do të ketë misioni i OSBE-së që do ta ketë në veri të vendit, në koordinim me KQZ-në dhe institucionet e sigurisë dhe drejtësisë të Republikës së Kosovës.