24 Dhjetor 2024

OSBE dhe Policia lansojnë fushatën e përbashkët kundër dhunës në familje

Prishtinë, 25 nëntor - Misioni i OSBE-së dhe Policia e Kosovës lansuan sot fushatën e përbashkët kundër dhunës në familje me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit dhe të parandalimit më efektiv të dhunës.  

Fushata do të përfshijë vendosjen e billbordeve në mbarë Kosovën, bashkë me spote televizive dhe debate, dhe do të jetë pjesë e shënimit të "16 Ditëve të aktivizmit kundër dhunës gjinore" që shënohet në mbarë botën.

Mesazhi kryesor - “Një shuplakë është dhunë; Dhuna është krim”- e thekson se dhuna në familje është njëkohësisht edhe shkelje e të drejtave të njeriut por edhe krim, edhe nëse ndodh brenda familjes. Për më tepër, ekziston rreziku që dhuna në familje të përshkallëzohet. Megjithëse mund të fillojë me akte më të vogla dhune, ajo mund të çojë edhe në përfundim fatal.

Fushata u bën thirrje viktimave dhe dëshmitarëve që ti raportojnë rastet e mundshme në polici. Ajo gjithashtu synon të promovojë një politikë të tolerancës zero ndaj dhunës në familje në të gjitha sferat e shoqërisë.

“Dhuna në familje vazhdon me të sajën dhe lë gjurmë tek familjet, veçanërisht gratë dhe vajzat. Ne duhet të shohim veprime të forta dhe konsistente nga ofruesit e shërbimeve. Pra, kushdo që përjeton apo është dëshmitar i dhunës duhet të lajmërojë policinë dhe ta raportojë dhunën”, tha Michael Davenport, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Ne të gjithë mund të luajmë rolin tonë. Pavarësisht nëse jeni viktimë apo dëshmitar, raportoni dhunën sapo ta shihni”, shtoi ai.

“Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe dhuna nuk ndalet pa u raportuar apo trajtuar nga organet kompetente. Policia e Kosovës është e përkushtuar për parandalimin e dhunës në familje si parakusht për një shoqëri të fortë dhe të shëndoshë”, tha Samedin Mehmeti, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)