OSBE dënon fuqishëm sulmin ndaj transmetuesit publik
Prishtinë, Vjenë, 23 gusht - Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, dhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, kanë dënuar sot sulmin e mbrëmshëm në mjediset e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) në Prishtinë.
Një mjet shpërthyes është hedhur në oborrin e RTK-së, në afërsi të antenave të transmetimit. Për fat të mirë, në shpërthim nuk ka pasur të lënduar.
Jam i tmerruar nga sulmi ndaj RTK-së në kohën kur kishte ende njerëz që punonin brenda ndërtesës. Ky duket të jetë akt frikësimi dhe e dënoj atë në mënyrën më të fuqishme. Ky është sulm ndaj një institucioni të rëndësishëm publik dhe ndaj lirisë së shprehjes, tha Ambasadori Schlumberger.
U bëj thirrje organeve për zbatim të ligjit që të hetojnë këtë rast sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sjellin autorët para drejtësisë, shtoi ai.
Duke u shprehur e lehtësuar që nuk ka pasur të lënduar në sulm, Mijatoviç tha: Ky është një sulm i pastër në medien e lirë dhe në shoqërinë në tërësi, të cilin e dënoj në kuptimin më të fuqishëm të fjalës. Besoj se ky incident do të hetohet shpejt dhe në tërësi.