Orkestra Frymore e FSK-së mbajti koncert festiv për vitin e ri
Prishtinë, 20 dhjetor - Me rastin e festave të fund vitit, Orkestra Frymore e FSK-së ka dhënë një koncert festiv.
Në koncert morën pjesë, ministri Agim Çeku, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, komandanti i KFOR-it, ish-ministri i FSK-së Fehmi Mujota, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipërisë Sylejman Selimi, oficerë të KFOR-it, të FSK-së, atashe ushtarakë si dhe personalitete të tjera të jetës politike, artistike dhe kulturore.
Në fjalën e tij, ministri Agim Çeku, pasi ka përshëndet mysafirët, falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështet ngritjen e FSK-së, për të shtuar:
Është kënaqësi që jemi mbledhur sot këtu për ta fuqizua miqësinë dhe bashkëpunimin tonë, ta përcjellim së bashku këtë vit dhe të shikojmë me optimizëm drejt vitit të ardhshëm.
Forca e Sigurisë së Kosovës është e përkushtuar të bëhet një forcë aktive dhe e dukshme, një institucion i përkryer i cili do ti shërbejë të gjithë qytetarëve dhe po kontribuon në ndërtimin e paqes dhe stabilitet në rajon dhe në botë.
Edhe këtë vit ne kemi punuar shumë dhe kemi arritur një progres të dukshëm në shumë fusha.
Ne e kemi thelluar partneritetin tonë bilateral dhe i kemi nënshkruar disa Marrëveshje Bashkëpunimi me shtetet tona partnere, kemi marr pjesë në iniciativa dhe ngjarje të rëndësishme të lidhura me çështjet e sigurisë, e kemi themeluar Qendrën e Ekselencës për Kërkim-Shpëtim nga e cila do të përfitojë i gjithë Rajoni, kemi kaluar Ligjin e pensioneve për FSK-në, jemi pajisur me uniforma te reja unike moderne dhe funksionale.
Ministri Çeku foli edhe për besimin e madh që ka FSK-ja tek qytetarët e Kosovës.
Për mua është shumë i rëndësishëm fakti që FSK-ja është ndër institucionet më të besuara të Kosovës. Kjo ka një domethënie të madhe dhe na inspiron që të punojmë edhe më shumë për të mirën e vendit dhe popullit tonë.
Për kultivimin e vlerave artistike dhe kulturore në FSK-së, ministri Çeku, tha: Ne jemi vazhdimisht duke i kultivuar vlerat dhe traditat tona, por edhe identitetin tonë.
Si pjesë e kësaj përpjekje kemi themeluar Orkestrën Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës një Orkestër i cili aktualisht është i përbërë nga më shumë se 30 muzikantë të rinj, profesionistë të profesioneve të ndryshme, qoftë pjesë e Filarmonisë, qoftë profesorë, arsimtarë, mësimdhënës të edukatës muzikore që vullnetarisht janë lajmëruar të jenë pjesëtarë edhe të FSK-së.
Në fund, ministri Agim Çeku ua uroj të gjithëve Krishtlindjet dhe një Vit të Ri dhe të suksesshëm dhe njëherit kërkoi që bashkërisht ta përcjellin koncertin e parë të ekzekutuar nga Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pastaj, Orkestra Frymore e FSK-së, dha një koncert me vepra të famshme botërore dhe kombëtare.
Këngët Valsi i lumturisë, Kënga për heroin e kombit tim, Hej ju male, Agimet Shqiptare, etj, ishin disa nga veprat artistike të interpretuara me sukses nga Orkestra Frymore e FSK-së.
Interpretimi i këngëve ushtarake dhe klasikë, nën dirigjimin e Toger Baki Jasharit u përcoll me një interesim të madh dhe me duartrokitje të gjata e frenetike.
Është synim i MFSK-së që Koncerti Festiv i Orkestrës Frymore të FSK-së për Festën e Vitit të Ri, të jetë tradicional.