Opozita kërkon ndërprerjen e procesit të ngritjes së Gjykatës së Posaçme
Prishtinë, 3 qershor - Tre liderët e partive politike në opozitë, kanë kërkuar nga udhëheqësit e institucioneve shtetërore në Kosovë, që të ndërpriten menjëherë të gjitha veprimet politike e institucionale në lidhje me amandamentin kushtetues, për themelimin e Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë.
Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Arddhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, kanë nënshkruar një letër publike, drejtuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendës-kryeministrit të parë, Hashim Thaçi.
Amendamenti kushtetues për themelimin e Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar kërkon suspendimin e dispozitave kushtetuese lidhur me sovranitetin e pushtetit gjyqësor.\"
\"Ju nuk keni as të drejtë kushtetuese juridike e as legjitimitet demokratik që të dorëzoni sovranitetin e Republikës, thuhet në letrën e opozitës, në të cilë nënvizohet mes tjerash se \"amendamenti kushtetues nuk duhet të sillet për votim në Kuvend\".
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur në seancën e javës së kaluar të marrë në shqyrtim këtë amandament kushtetues. Me shumicë votash, ligjvënësit shtynë seancën me arsyetimin se janë në pritje të dokumentacionit të kompletuar mbi këtë çështje.