Operacioni Ryshfeti vë në pranga pesë të dyshuar
Prishtinë, 11 shtator - Inspektorati Policor i Kosovës pas një hetimi intensiv për më shumë se shtatë muaj, ka ndërmarrë sot një operacion bastisje në gjashtë lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt.
Operacioni ka rezultuar me arrestimin e pesë personave me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale: dhënie të ndihmës kryerësve të veprës pas kryerjes së veprës penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, ushtrim të ndikimit etj.
Dy nga të dyshuarit e arrestuar janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, njëri toger policor e tjetri hetues.
Me autorizim të Prokurorisë Themelore personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të rregullta gjyqësore kurse dy zyrtarët policorë janë suspenduar.
Veprimet e tilla IPK-ja i ka ndërmarrë duke u bazuar në urdhëresat e prokurorisë së EULEX-it dhe gjyqtarit të procedurës paraprake.
Në këtë aksion disa orësh mbështetje për hetuesit e IPK-së kanë qenë edhe këto njësi policore: Njësiti Special Operativ (NJSO) i Policisë së Kosovës, njësiti i forensikës, Drejtoria kundër krimit të organizuar etj.
Në përfundim ky aksion përveç arrestimeve ka rezultuar edhe me konfiskimin e armëve, municionit, kompjuterëve, dokumente të ndryshme, një shumë të konsiderueshme të parave të gatshme etj.
Inspektorati Policor i Kosovës falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës për bashkëpunim në lidhje me këtë rast dhe i inkurajon të gjithë për bashkëpunim të mëtejmë me qëllim të realizimit të të drejtave të tyre.