Operacioni policor Jaguar vë në pranga tre persona të dyshuar
Prishtinë, 17 shtator - Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimeve të Krimit të Organizuar, sot, me datën 17 shtator 2015, pas hetimeve të kryera disamujore, lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi, që në vazhdimësi merrej me vepra penale fajde, detyrim, kanosje dhe krim i organizuar, ka ndërmarrë operacionin policor të koduar JAGUAR.
Operacioni policor është kryer në katër lokacione të Prishtinës, me çrast është bërë arrestimi i tre personave dhe janë kontrolluar objektet përcjellëse të tyre.
Personat e arrestuar për këtë rast janë: N. H. lindur me 1973; E. H. lindur me 1947 dhe N. Q. lindur me 1968.
Të dyshuarit në bashkëpunim, kanë kryer veprat e lartcekura me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar si prova materiale: para të gatshme 1800 ( një mijë e tetëqind) euro, 4 armë të gjata (dy AK-47 dhe dy armë gjuetie), armë e shkurtër (GLOK 9x19), 55 fishekë kalibër të ndryshëm, tri vetura, një palë pranga, një thikë, tre telefona celularë, një laptop dhe dokumente të ndryshme që vlejnë si prova për procedurë.
Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme.