Operacioni Medikamenti vë në pranga nëntë persona të dyshuar
Pas gjashtë muajsh hetimesh intensive të realizuara nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, është realizuar ky operacion i gjerë policor i cili ka përfshirë dy rajone të Kosovës.
Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim me Doganat e Kosovës dhe Inspektoratin për Pajisje dhe Produkte Medicinale, me çrast është bërë bastisja e shtatëmbëdhjetë (17) lokacioneve të ndryshme, në regjionin e Prishtinës dhe Pejës.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar sasi e madhe e barnave (mijëra produkte medicionale) që dyshohet se janë të pakontrolluara dhe të paverifikuara, me prejardhje kryesisht nga Serbia të kontrabanduara në Republikën e Kosovës në mënyrë ilegale.
Pas bastisjes janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje të dyshuarit: K. V. - S. R. - V. A. - A. A. - A. A. - N. Z. - A. J. - A.O. dhe A. B.
Të arrestuarit dyshohet se në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim kanë kontrabanduar barna të ndryshme, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës.
Me këtë rast dyshohet se këta persona kanë kryer veprat penale kontrabandim me mallra, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike, krim i organizuar dhe posedim i paautorizuar i armëve dhe municionit.
Gjatë kontrollimit të lokacioneve janë gjetur dhe konfiskuar një revole të kal.7.62 mm dhe dy pushkë gjuetie.
Operacioni i bastisjeve dhe arrestimeve është kryer me urdhër të Prokurorisë, respektivisht Gjykatës Themelore në Prishtinë.