Operacioni i koduar me emrin Autoriteti vë në pranga tre të dyshuar
Prishtinë, 11 janar - Inspektorati Policor i Kosovës pas një hetimi intensiv ka ndërmarrë sot një operacion bastisje në tri lokacione të ndryshme në Prizren dhe Suharekë.
Operacioni i bazuar në planin operativ të koduar me emrin Autoriteti, ka rezultuar me arrestimin e tre personave me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit.
Një nga të dyshuarit e arrestuar është pjesëtar i Policisë së Kosovës me detyrë në Drejtorinë për hetimin e trafikimit me narkotikë njësia në Prizren.
Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të rregullta gjyqësore kurse zyrtari policor tashmë i arrestuar është suspenduar.
Veprimet e tilla IPK-ja i ka ndërmarrë duke u bazuar në urdhëresën e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në këtë aksion disa orësh mbështetje për hetuesit e IPK-së kanë qenë edhe hetuesit rajonal nga Drejtoria Rajonale e Prizrenit dhe disa zyrtarë policorë nga Njësiti Special Operativ (NJSO) i Policisë së Kosovës.
Ky aksion përveç arrestimeve ka rezultuar edhe me konfiskimin e dy armëve të gjata, disa pajisjeve kompjuterike, dokumente të ndryshme etj.