Operacioni i koduar Kufiri rezulton me gjashtë të arrestuar
"Hetuesit policorë pas një pune operativo-hetimore të planifikuar mirë, sot me 3.4.2013 kanë realizuar një operacion policor në në rajonin e Prishtinës, më konkretisht në tri lokacione të ndryshme në qytetin e Podujevës", thuhet në njoftimin për media.
Gjatë këtij operacioni sipas policisë është bërë arrestimi i gjashtë personave të dyshuar të cilët kanë kryer veprimtari kriminale, duke përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme.
Personat e dyshuar tashmë të arrestuar janë: S. M. 1960, I. M. 1983, N. M. 1988, F. K. 1970, L. K. 1973 dhe V. K. 1992.
Po ashtu gjatë këtij operacioni policor hetuesit gjithashtu kanë gjetur dhe konfiskuar në cilësi të provave materiale: 793 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 3 karikatorë të zbrazët, 60 pako duhan tabako dhe 12 telefona celularë.
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer nën autorizim të prokurorit përkatës dhe personave të arrestuar u është caktuar masa e paraburgimit për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.