OeSD suspendon kontratën e pasaportave biometrike për Kosovën
Vjenë, 4 dhjetor - Kompania austriake OeSD e ka suspenduar kontratën me Qeverinë e Kosovës për prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike për Kosovën.
Njoftimin kompania austriake e ka bërë në gazetën vjeneze Der Standard.
\"Për shkak të vonesave të vazhdueshme të pagesave nga ana e Republikës së Kosovës për kontratën për shpërndarjen e pasaportave, OeSD është detyruar që të suspendojë për momentin shërbimet që parashihen me këtë kontratë.
Rrjedhimisht, të ardhurat prej 700.000 euro për vitin fiskal 2012/2013 nuk do të mund të realizohen, ka informuar kjo kompani.
Skandali i pasaportave po e mban në burg shtetasen gjermane Natali Velija, e cila dyshohet se ka përvetësuar 1.4 milion euro nga kjo kontratë, duke mos i bartur ato tek kompania austriake.
Ministri Bajram Rexhepi u ka rezistuar thirrjeve për dorëheqje pas skandalit, duke shkarkuar disa zyrtarë të MPB-së.