OEGJK, dënon sulmin ndaj bizneseve sllovene në Kosovë
Sulmet e tilla, janë mesazhi më i keq që mund të dërgohet për të gjitha bizneset e huaja qoftë ato që veprojnë në territorin e Kosovës apo edhe ato që potencialisht mund të jenë pjesë e tregut tonë.
Arrestimi i ish kryeministrit të Kosovës, tash deputet dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është një gabim i rëndë dhe si i tillë duhet të rikuperohet shpejtë nga organet sllovene, por kjo çështje e ndjeshme, nuk duhet të lidhet assesi me bizneset sllovene që operojnë dhe kanë investuar në Kosovë.
Çdo sulm, apo cenim i bërë nga kushdo çoftë ndaj ndërmarrjeve që punojnë në Kosovë, të cilat ndihmojnë shtetin e Kosovës, duke hapur vende pune, duke paguar taksa dhe duke investuar kapitalin e tyre, është tërësisht i papranueshëm.
Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, pret nga autoritetet kompetente të vendit, që të identifikojnë sulmuesit dhe ndaj tyre të sillen konform ligjeve në fuqi, për të ju mundësuar operatorëve ekonomik në Kosovë, veprim në ambient të sigurt e të qetë.
Edhe Oda Ekonomike e Kosovës dënon fuqishem aktet e fundit të sulmeve të drejtuara ndaj bizneseve sllovene në Kosovë dhe i fton qytetarët që të distancohen nga sjelljet e tilla të papranueshme .
OEK konsideron se sulmet e tilla sjellin vetëm probleme dhe se janë kundër zgjerimit të marëdhenieve afariste në mes të bizneseve të Kosovës dhe Sllovenisë dhe largojnë nga Kosova investuesit e mundshëm direkt nga Slovenia dhe vendet tjera pasi që krijojnë atmosferën e pasigurisë.
OEK fton Qeverinë dhe institucionet tjera që të sigurojnë kushte për funksionim normal dhe pa pengesa për bizneset pavarsishtë se nga cili vend vijnë dhe pret që organet e rendit në përputhje me ligjin të trajtojnë aktet e fundit të manifestuara kundër bizneseve dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla.