17 Maj 2024

Oda e Avokatëve diskutoi të gjeturat e raportit Bench Bar

Prishtinë, 23 dhjetor - Oda e Avokatëve të Kosovës organizoi konferencën qendrore Bench Bar 2014, në të cilën diskutoi të gjeturat e raportit Bench Bar për vitin 2013 dhe draft raportin për vitin 2014, të takimeve të përbashkët në mes aktereve të gjyqësorit, prokurorisë, avokatisë dhe policisë.

Pjesëmarrësit në konferencë thanë se bashkëpunimi i Odës së Avokatëve të Kosovë, Policisë së Kosovës, Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorisë së Kosovës, ka për qëllim zbatimin e ligjit dhe zhvillimin e drejtësisë në Kosovë.
 
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Ibrahim Dobruna, vlerësoi lartë bashkëpunimin në mes institucioneve të drejtësisë dhe theksoi se qëllimi kryesor i OAK-së është avancimi i sundimit të ligjit në Kosovë, veçmas në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, në mbrojtjen e interesave jetike të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe anëtarëve të saj.

“OAK, duke  pasur  qëllim kryesorë avancimin  e sundimit të  ligjit në Kosovë dhe duke u mbështetur në proceset e reformimit ligjor, vazhdimisht do të jetë në mision të përmirësimit të drejtësisë. Kjo është në funksion të fuqizimit të pavarësisë, paanshmërisë dhe drejtësisë së gjykatave dhe prokurorive”, tha kryetari Dobruna.

Misioni i avokatëve, shtoi ai, është që të diskutojnë zgjidhjen e problemeve që pengojnë sundimin e ligjit.

Ndërkaq, drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope, duke përgëzuar Odën e Avokatëve të Kosovës për punën që bëjnë, tha se USAID-i do të ndihmojë edhe më tutje në zhvillimin e drejtësisë në Kosovë.

Sipas Hope, ajo çka vërehet në Kosovë më shumë, është puna kritike e bërë për promovimin e demokracisë.

\"Sapo kam arritur në Kosovë, ajo që kam vërejtur është puna kritike e bërë nga të gjithë për promovimin e demokracisë. E dimë se përgjatë këtyre viteve ka pasur shumë sfida dhe më lejoni të duartrokas punën dhe përkushtimin tuaj për tejkalimin e këtyre sfidave. Ne jemi krenar që jemi partneri juaj\", tha drejtori i USAID, Hope.

Ndërkaq, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se në këtë institucion është duke u punuar shumë në këtë drejtim dhe ka rezultate, mirëpo problem është mungesa e gjyqtarëve në vend.

“Numri i vogël i gjyqtarëve që u përmend në këto takime, është një problem sepse nuk kemi numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve. Në anën tjetër, është interesant se pse nuk kemi mjaftueshëm. Nuk kemi numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve sepse kandidatët nuk i plotësojnë kriteret. Sinqerisht po ju them, ne shpallim konkurse por ka probleme ende, pra është më se e domosdoshme ngritja e profesionalizimit që është i nevojshëm një adresim i problemit të madh prej sistemit të shkollimit e në vazhdimësi”, tha kryesuesit Peci.

Në anën tjetër, ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha, tha se sundimi i ligjit është mision i përbashkët, ndërsa tashmë sipas tij, Kosova ka ndërtuar një infrastrukturë ligjore në harmoni me praktikat ndërkombëtare.

“Gjithë ne që jemi mbledhur sot, përfaqësojmë institucione të sistemit të gjyqësisë në Kosovë, të gjithë ne nga perspektiva të ndryshme kemi një qëllim dhe një mision të njëjtë, të zbatojmë praktika dhe standarde të larta të funksioneve tona në zbatim të ligjit në Kosovë me qëllim të përmbushjes së obligimeve të përcaktuara me ligjin e aplikueshëm në Kosovë. Ne jemi dëshmitarë që Kosova ka ndërtuar një infrastrukturë ligjore solide e cila është në harmoni me praktikat dhe standardet më të larta ndërkombëtare”, tha ai.

Ai më tutje shtoi se është obligim i yni që të punohet edhe më tepër në ngritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional, i cili bashkëpunim duhet të jetë i bazuar në besim dhe në përkushtim reciprok me qëllim të tejkalimit të sfidave të përbashkëta.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, theksoi se policia ka për mision ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe se angazhohet maksimalisht për parandalimin e veprave të ndryshme që i dëmtojnë qytetarët.

“Përfaqësuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës, kanë treguar profesionalizëm dhe përkushtim në nivelet e tyre të përcaktuara me ligj. Edhe avokatia edhe i tërë sistemi i drejtësisë ka për qëllim zbatimin e ligjit për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim, duke u siguruar qasje të barabartë për të gjithë. Bashkëpunimi me Odën e Avokatëve të Kosovës, është vlerësim i policisë së Kosovës, është shumë i mirë, shtuar kësaj takimet e përbashkëta në mes pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës. Edhe në nivel rajonal e lokal, po ashtu edhe në nivel qendror, ku këto bashkëpunime e shfaqin përkushtimin e të dy palëve për kryerjen e detyrave”, tha zëvendësdrejtori Rexha.

Konferenca është vazhduar në çështje tematike mbi të gjeturat e takimeve Bench Bar 2013 dhe 2014, në të cilën prezantuan, Merita Stublla Emini, kryetare për Çështje Gjinore në OAK dhe njëherit avokate në Prishtinë, e cila elaboroj çështjen e angazhimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare (Ex-officio), pastaj Teki Bokshi, anëtar i Këshillit Drejtues të OAK-së dhe njëherit avokat në Gjakovë foli rreth tematikës së përfaqësimit të palëve nga persona të pa licencuar (Kuaziavokatet).

Ndërsa, Albert Avdiu, Drejtor në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkëlzen Maliqi, Drejtor i Përgjithshëm në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Jetullah Aliu, Drejtor i Departamentit të Hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës diskutuan mbi të gjeturat raporteve Bench Bar. Këta të fundit, ofruan gatishmëri në tejkalimin e sfidave dhe eliminimin e problemeve të identifikuara në këto raporte.

Në këtë konferencë janë nxjerr disa rekomandime të përbashkëta, nga të cilat do t’i adresohen institucioneve përkatëse, me qëllim që të jenë më efektiv në zgjidhjen e problemeve në sistemin juridikë në Republikën e Kosovës.

Oda e Avokatëve të Kosovës takimet e përbashkëta (Bench Bar) me  gjyqtar, prokuror, avokatë dhe përfaqësues të policisë në shtatë regjione të Republikës së Kosovës, do të vazhdoi t’i organizoi edhe gjatë vitit 2015.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)