OAK dhe EULEX bashkëpunojnë në forcimin e sundimit të ligjit
Prishtinë, 9 prill - Me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Ibrahim Dobruna priti në takim shefin e Misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt me të cilin diskutuan rreth forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë Kosovën.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës z. Dobruna shprehu mirënjohjen për përkrahjen e EULEX-it dhe për punën e këtij misioni për forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e stabilitetit në Kosovë.
Ai informoi shefin e misionit për punën e OAK-së, për zhvillimet e fundit dhe të arriturat gjatë këtyre viteve.
Kryetari i Odës përmendi sfidat me të cilat është duke u ballafaquar ky institucion për realizimin dhe zbatimin e misionit të saj.
Oda e Avokatëve të Kosovës është duke u ballafaquar me sfidat e tri komponentëve; të Arsimimit të Vazhdueshëm Ligjor të Obliguar, fuqizimin e plotë të Zyrës Disiplinore dhe krijimi i një objekti për OAK-në, pasi aktualisht OAK është duke vepruar brenda një hapësire shumë të ngushtë, tha kryetari i OAK-së, Ibrahim Dobruna.
Në anën tjetër, shefi i Misionit të EULEX, Bernd Borchardt theksoi se EULEX-i është e interesuar të integroj profesionistët ligjor nga radhët e minoriteteve nga pjesa veriore e Kosovës në sistemin e integruar gjyqësor në Kosovë.
Shefi i misionit deklaroi se kjo është një kohë me rëndësi për Kosovën në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe së bashku mund të shënojmë përparim në sferat e interesit të përbashkët.
Kryetari Dobruna dhe shefi i EULEX-it Borchardt gjatë takimit diskutuan lidhur me bashkëpunimin e OAK-së me Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës për integrimin e minoriteteve në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Më tutje ata shtruan çështjen edhe të zhvillimeve në pjesën veriore të Kosovës dhe rendësin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe ndaj të gjithë qytetareve pa dallim përkatësie etnike.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan në bashkërendimin e veprimeve në krijimin e një strategjie të përbashkët për integrimin e të gjithë profesionisteve ligjore në sistemin e drejtësisë në Kosovë.