Njësia Speciale kthehet nga pjesa veriore
Prishtinë, 24 gusht - Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) tashmë është kthyer nga pjesa veriore. Burime nga veriu tregojnë se ROSU është kthyer pa e kryer deri në fund operacionin me sugjerimin e KFOR-it.
Burime të Kosovapressit tregojnë se KFOR-i ka sugjeruar përgjegjësit e ROSU-s që të tërhiqen përkohësisht, pasi që situata kishte nisur të tensionohej.
Derisa ROSU kishte hyr në veri, serbët të organizuar nga strukturat paralele kishin nisur të angazhohen rreth kthimit të barrikadave në pika të ndryshme dhe mund të kishte ndonjë incident.
Sidoqoftë ky aksion i sotëm i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës është mbajtur thuajse sekret sikurse më 25 korrik. Madje ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se ROSU ishte thjesht në një ushtrim në Mitrovicë.
Sidoqoftë pas raportimit të Kosovapress-it gazetarët e kanë pyetur kryeministrin Hashim Thaçi, por ai nuk ka dashur të flasë lidhur me aksionin e realizuar sot nga Njësia Speciale në pjesën veriore. Ai vetëm ka theksuar se vendimet e Qeverisë mbesin në fuqi për vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.