Një sistem gjyqësor i pavarur është garanci e shtetit të së drejtës
Prishtinë, 1 qershor - Në ambientet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Kryesuesi Nehat Idrizi i shoqëruar nga disa anëtarë të Këshillit, priti sot në një takim miqësor një delegacion të nivelit të lartë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë (KLD), kryesuar nga Presidenti i Rrjetit Ballkanik dhe Euro - Mesdhetar i Këshillave Gjyqësorë dhe anëtar i KLD-së, Gjin Gjoni, i shoqëruar nga anëtarët e KLD-së, Gerd Hoxha, Petrit Çomo si dhe Neritan Cena.
Delegacioni i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore, me qëllim të shkëmbimit të eksperiencës ndërmjet institucioneve kryesore homologe të drejtësisë së dy vendeve, e po ashtu edhe të shkëmbimit të ideve dhe praktikave më të mira për një qeverisje sa më të mirë të sistemit gjyqësor.
Në këtë takim, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi e informoi delegacionin e KLD-së, mbi përbërjen aktuale, funksionin dhe kompetencat e KGjK-së, si dhe organizimin e sistemit gjyqësor në përgjithësi.
Kryesuesi Idrizi, gjithashtu i njoftoi të pranishmit në lidhje me procesin për vlerësimin e gjyqtarëve,i cili ështënjëri nga prioritetet e KGjK-së, në funksion të promovimit dhe ngritjes profesionale të gjyqtarëve.
Delegacionit shqiptar, iu bënë të njohura edhe disa prej prioriteteve dhe arritjeve kryesore në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor, duke u ndalur në mënyrë specifike në decentralizimin e gjykatave në vend.
Anëtari i KLD-së, Presidenti i Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar i Këshillave Gjyqësorë Gjin Gjoni, pasi vlerësoi punën e Këshillit Gjyqësor dhe Kryesuesit Idrizi, theksoi se një sistem gjyqësor i pavarur është garanci e shtetit të së drejtës.
Në vijim të takimit, anëtari i KLD-së, Gjoni njoftoi Kryesuesin dhe anëtarët e KGjK-së, mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë, duke u ndalur në mënyrë specifike në vështirësitë dhe problemet që ka sot sistemi gjyqësor dhe se çdo ndërhyrje i thyen parimet bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës.
Gjatë bashkëbisedimit u evidentuan gjithashtu, sfidat e përbashkëta në kuadër të përmbushjes së objektivave që secili shtet bart në vetvete në fushën e drejtësisë, si dhe njëzëri u pajtuan që të vazhdoi edhe më tutje bashkëpunimi në mes të dy shteteve.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë së Shqipërisë në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, do të ketë takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës.