Një person vritet me armë zjarri në Albi Mall
Prishtinë, 30 mars - Sot në orën 01:25 minuta, policia ka marrë informacionin se në lagjen Veterrniku respektivisht në qendrën komerciale Albi Mall në Prishtinë, ka ndodhur një tentim vjedhje e rëndë e cila ka rezultuar me vrasje.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.
Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje dhe viktima:
· N. Ramadani, mashkull, 44 vjeç, shtetas Kosovar, ( roje sigurie ne qendrën
komerciale) duke mos mundur tu përballoj plagëve të marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë .
Mbështetur në rezultatet e para të punës policore, hetuesit rajonal kanë ngritur versionin e hetimit se dy të dyshuar të maskuar dhe së paku njëri nga ta i armatosur ishin futur brenda në qendrën komerciale Albi Mall me qëllim të vjedhjes së një kasaforte.
Ndërkohë që roja e sigurisë (viktima) i kishte vërejtur të dyshuarit brenda objektit kishte bërë përpjekje për ti ndaluar ata, me ç rast njëri nga të dyshuarit ka shkrepur armën në drejtim të tij, ku për pasojë i ka shkaktuar vdekjen.
Në vazhdimësi të veprimeve të sajë, policia me një përkushtim të madh po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit duke intervistuar një numër personash në cilësi të dëshmitarëve apo edhe të tjerë, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.