Një person plagoset nga arma e zjarrit përderisa një tjetër arrestohet
Drenas, 12 qershor - Sot në orën 14:07 minuta, policia ka marrë informacionin se në Drenas te blloku nr. 1, përderisa po ekzekutohej një procedurë përmbaruese, ka ardhur deri te plagosja e një qytetari (nuk është pjesëtarë i Policisë së Kosovës) .
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve, prokurori i shtetit si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.
Në vendngjarje policia ka konstatuar se;
· F.SH. mashkull, shtetas Kosovar, ka marrë plagë nga arma e zjarrit dhe i njëjti
është dërguar në QKUK, për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Ndërkohë që puna hetimore e policisë ka vazhduar, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe;
· Një revole të tipit T.T, të kalibrit 7.62 mm, si dhe ka arrestuar një person për të cilin ka ngritur dyshimet se mund të jetë i përfshirë në rast.
Policia bashkërish me prokurorin e çështjes po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin .