Një furrë buke e re me mbështetjen e EULEX-it dhe UNMIK-ut në Qendrën Korrektuese për Gratë në Lipjan
Prishtinë, 27 korrik - Zëvendës Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Blerim Sallahu, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Rasim Selmani, Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në UNMIK, Barrie Freeman, Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski dhe përfaqësues të tjerë të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare morën pjesë në përurimin zyrtar të një furre buke në Qendrën Korrektuese për Gratë në Lipjan sot.
Furra e bukës, e cila u krijua falë donacioneve të EULEX-it dhe UNMIK-ut, synon fuqizimin e grave që vuajnë dënimet e tyre në Qendrën Korrektuese të Lipjanit duke u mësuar atyre se si ta drejtojnë një furrë buke dhe si të gatuajnë bukë dhe brumëra.
Përmes këtij projekti, personat e dënuar do të kenë një mundësi që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre të bukëpjekjes dhe të bëhen të certifikuar në këtë fushë, gjë që do ta përmirësojë qasjen e tyre në mundësitë e punësimit pasi të lirohen.
Duke i falënderuar donatorët, Zëvendës Ministri i Drejtësisë i Kosovës tha: “Inaugurimi i kësaj furre shënon edhe fillimin e punës për një numër të konsiderueshëm të të dënuarave në këtë institucion.
Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar për të mbështetur aktivitetet e punës që ndikojnë në rehabilitimin dhe re-integrimin e personave të privuar nga liria, si dhe garantojnë qëndrueshmëri ekonomike të institucioneve korrektuese.
Përmes funksionalizimit dhe zgjerimit të kapaciteteve të Njësive Ekonomike në institucionet korrektuese, SHKK do të vazhdojë të angazhojë numër gjithnjë e më të madh të të dënuarve për të arritur këtë qëllim”.
Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së tha: “Kjo është një vepër e mirë e cila do ti shërbejë institucionit dhe, po ashtu, do të ndikojë në programin e punës së të burgosurave të cilat do të punojnë në furrë.
Ato do ta përgatisin veten për jetën postpenale duke qenë të gatshme të vazhdojnë profesionin e tyre. SHKK së bashku me partnerët do të vazhdojë ta përmbush misionin e tij, që është rehabilitimi dhe risocializimi i të burgosurve dhe kjo vepër e tregon përkushtimin tonë të përbashkët”.
"Kjo furrë buke është një shembull i prekshëm i angazhimit të Kombeve të Bashkuara për Rregullat e Nelson Mandela, të cilat bazohen në besimin se një sistem i efektshëm i burgjeve duhet të sigurojë burgosjen e sigurt të të burgosurve në një mjedis që promovon rehabilitimin dhe rikthimin e tyre në jetën civile produktive”, tha Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në UNMIK, Barrie Freeman.
Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, vuri në dukje: “Ky projekt ka në qendër idenë se personat e dënuar mund të fitojnë aftësi bukëpjekjeje dhe përvojë praktike, e cila do t’u ndihmojë atyre të gjejnë punë brenda industrisë së kulinarisë pas lirimit të tyre. Ky lloj pune u jep njerëzve një qëllim dhe një ndjenjë arritjeje dhe është mekanizëm kryesor për ta parandaluar përsëritjen e veprave”.
Pas ceremonisë tradicionale të prerjes së shiritit, të ftuarit patën mundësinë ta shohin furrën e bukës të pajisur plotësisht, e cila pritet të prodhojë bukë dhe brumëra për Qendrën Korrektuese të Lipjanit dhe tre institucione korrektuese tjera.
Përveç produkteve të pjekura, të burgosurit në institucione të ndryshme korrektuese në Kosovë kultivojnë gjithashtu fruta dhe perime dhe prodhojnë artikuj të ndryshëm, përfshirë qese plastike, maska për fytyrë dhe letër higjienike.
Këto produkte i mbulojnë nevojat e institucioneve të ndryshme korrektuese, duke sjellë kursime të konsiderueshme të buxhetit të SHKK-së.
Përmes Njësisë Korrektuese të tij, EULEX-i e mbështet SHKK-në në përpjekjet e tij për ta lehtësuar riintegrimin dhe risocializimin e personave të dënuar në shoqëri.
Ky Mision gjithashtu i mbështet përpjekjet e SHKK-së për të zhvilluar një ekip profesional të drejtuesve të lartë përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit.