Një deputetë dhe një policë dyshohen për vrasjen e Xhemajl Mustafës
Prishtinë, 24 janar - Vrasja e Xhemajl Mustafës duket se do të zbardhet së shpejti. EULEX-i ka intervistuar bashkëshorten e ish-zyrtarit të LDK-së dhe personat që janë të dyshuar për këtë rast.
Jozyrtarisht, në misionin europian për rend dhe ligj rikonfirmojnë se një deputet dhe një zyrtar policor janë të dyshuarit kryesorë.
Hetuesit e EULEX-it kanë filluar ti marrin në pyetje disa persona në lidhje me vrasjen e Xhemajl Mustafës.
Burime të Gazetës Express kanë konfirmuar se tashmë janë intervistuar disa persona në lidhje me vrasjen e ish-këshilltarit të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
Po, janë marrë në pyetje disa njerëz, por edhe personat që dyshohen se kanë gisht në vrasjen e tij, tha burimi i gazetës në kushte anonimiteti.
Përveç tyre më herët është marrë në pyetje edhe Bahrije Mustafa, bashkëshortja e Xhemajl Mustafës.
E bija e Mustafës, Beriana konfirmon se Prokuroria Speciale e EULEX-it e ka ftuar më herët në intervistë nënën e saj.
Prokuroria ka marrë në pyetje nënën time, por prej asaj kohe më nuk kemi asnjë informatë nga EULEX-i, tha e bija e Xhemajl Mustafës, shkruan kjo gazetë.
Një burim i gazetës mirë i informuar ka thënë se EULEX tashmë posedon disa emra që dyshohen si të përfshirë në rastin e vrasjes.
Njëri nga ta është deputet aktual në Kuvendin e Kosovës. Njëri po ashtu është zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të dyshuar të tjerë të përfshirë në këtë vrasje e cilësuar si politike, ka thënë burimi i gazetës.