Një delegacion ushtarakësh nga Gjermania viziton MFSK-në
Prishtinë, 21 shkurt - Sot në mjediset e Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, qëndroi një delegacion ushtarakësh-ekspertë nga Qendra për Zhvillim të Lidershipit dhe Edukim Civil të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, të prirë nga komandanti Volker Brasen dhe nënklolonel Martin Gerster.
Delegacioni gjermanë u prit, në vizita të ndara, nga ministri Haki Demolli, sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj dhe drejtori i Drejtorisë së Operacioneve në MFSK-së, gjeneral brigade Zymer Halimi.
Ministri Demolli e falënderoi delegacionin ushtarak gjerman për ndihmën e pakursyer që Gjermania dhe Forcat e saj Ushtarake i kanë dhënë ndër vite FSK-së për edukimin dhe trajnimin ushtarak, si dhe për mbështetjen e dhënë për integrimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë. Ministri po ashtu i njoftoi ekspertët ushtarakë edhe me të arriturat e përgjithshme të FSK-së si; bashkëpunimin ndërkombëtar, arritjet profesionale, e në veçanti lidhur me procesin e transformimit të FSK-së në FAK.
Ministri i FSK-së i shprehu dëshirën delegacionit gjerman për ta rritur bashkëpunimin edhe në fusha tjera me interes të dyanshëm.
Më pas delegacioni i ekspertëve ushtarak u prit edhe nga sekretari i përgjithshëm i FSK-së, Shkëlzen Sylaj dhe drejtori i Drejtorisë së Operacioneve në MFSK, gjeneral brigade Zymer Halimi, të cilët, përveç tjerash, falënderuan delegacionin ushtarak gjerman për ndihmën e vazhdueshme që ata po japin në ngritjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së.
Vlen të cekët se delegacioni ushtarak gjerman, në bazë të Planit të bashkëpunimit dypalësh që ka MFSK-ja me Gjermaninë, që nga data 20 shkurt 2017 ka filluar mbajtjen e seminarit me temë Forcat e Armatosura në Demokraci i cili do të vazhdojë deri më 24 shkurt 2017.
Në fund, ekspertët ushtarakë gjermanë falënderuan ministrin Demolli, sekretarin Sylaj dhe gjeneral Halimin për pritjen dhe njëherazi premtuan thellimin e bashkëpunimi edhe në të ardhmen në mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Gjermanisë.