Nisin përgatitjet në kuadër të procesit të hartimit të Kodit Civil
Prishtinë, 16 qershor Të premten është mbajtur në Prishtinë takimi i parë i nëngrupit tematik për pjesën e përgjithshme dhe të drejtën e detyrimeve në kuadër të procesit të hartimit të Kodit Civil.
Ministria e Drejtësisë njofton se të pranishëm në takim ishin profesorë universitarë, ekspertë të fushës, përfaqësues nga projekti i BE-së, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Rrahim Rama, u.d. i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, tha se hartimi i këtij Kodi luan rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e një sistemi funksional të marrëdhënieve të detyrimeve, të drejtave sendore, të drejtës familjare dhe trashëgimore.
\"Ministria e Drejtësisë në mesin e prioriteteve të veta është duke punuar vazhdimisht në këtë proces, tha Rama.
Sipas tij, ekipi i Ministrisë Drejtësisë është duke bërë punë intensive në këtë proces, dhe se kjo punëtori do t`ju ofroj mundësinë e diskutimeve mbi çështjet konceptuale të kësaj pjese, ku këto diskutime do të ofrojnë një bazë të mirë për aktivitetet e mëtejme në hartimin e kësaj pjese të Kodit Civil.
Rama tha se Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar që këtë proces të hartimit ta përkrah deri në fazën finale me të gjitha kapacitetet.