Nis transporti për banorët e Kodrës së Minatorëve
Mitrovicë, 22 shtator - Pas intervenimit të Komunës së Mitrovicës, ka nisur transporti për banorët e Kodrës së Minatorëve në veri të Mitrovicës.
Për 6 ditë më radhë këta banorë nuk kanë mundur të lëvizin për në pjesën tjetër të qytetit për shkak të barrikadës së vendosur në urën e Ibrit nga strukturat paralele serbe.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se bashkë me polici kanë biseduar me pronarin e kompanisë që transporton këta banorë dhe janë marrë vesh që të rifilloj transporti.
Bala tha se për shkak të barrikadës në urën e Ibrit autobusi do të niset prej zonës së Tre rrokaqiejve për në Kodrën e Minatorëve.
Bala theksoi se përgjegjësinë për sigurinë e autobusit që bartë këta banorë e ka marrë stacioni i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës. Për momentin ka qenë zgjidhja e vetme e mundshme për të mos i lënë të bllokuar këta banorë.
Ai tha gjatë këtyre ditëve sa nuk ka pasur transport, komuna ka ndarë ndihma ushqimore dhe mjete higjienike për të gjitha familjet e kësaj lagjeje, por edhe për banorët e lagjeve të tjera veriore.
Janë ndihmuar me ushqime banorët e Kodrës së Minatorëve, mandej ata të Lagjes së Boshnjakëve, të Kroit të Vitakut, Tre rrokaqiejve dhe Lagjes së Doktorëve, tha ai, duke shtuar se përveç shqiptarëve ndihma kanë marrë edhe boshnjakët, turqit, por edhe disa familje serbe.
Ai tha se gjendja më e rëndë vazhdon të jetë për banorët e tri fshatrave shqiptare të Leposaviqit; Bistricës, Koshtovës dhe Vllahisë.
Për shkak të barrikadave banorët e atyre tri fshatrave kanë mbetur të izoluar prej 25 korrikut të këtij vitit. Ata mundësinë e vetme për qarkullim e kanë nëpër një rrugë malore.
Tha se ata kanë problem sa i përket furnizimit me ushqime, meqë rruga është shumë e vështirë për qarkullim. Komuna edhe për këta banorë ka ndarë ndihma ushqimore dhe mjete higjienike që tri herë radhazi për ta.
Ndryshe, drejtori Bala tha se gjendja në përgjithësi është e qetë, por shumë e tensionuar. Bllokadat e rrugëve kanë bërë që situata të jetë shumë e tensionuar, megjithëse gjatë këtyre ditëve nuk kanë pasur ndonjë incident serioz ndëretnik.