Nis trajnimi i gjeneratës së 45-të të Policisë së Kosovës
Prishtinë, 15 prill - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ka filluar trajnimi bazik i gjeneratës së 45-të, të Policisë së Kosovës. Gjithashtu, trajnimin bazik filluan edhe pjesëtarë të Inspektoratit Policorë të Kosovës.
Kadetët e rinj do të trajnohen sipas plan-programeve të dizajnuara në bazë të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit.
Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës në Akademi, nënkolonel Driton Zabërgja, i përshëndeti dhe iu uroi suksese kadetëve, gjithashtu ai inkurajoi kadetët që të japin maksimumin nga vetja e tyre dhe të gjithë trajnimin bazik ta përfundojnë me sukses.
Zgjedhja juaj është një fillim i ri për ju, për Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, dy organizata të cilat posedojnë vlera të rëndësishme si institucione më të besueshme nga qytetaret e Republikës së Kosovës në sundimin e ligjit, tha Zabërgja.
Trajnimi do të zgjasë 26 javë dhe do të marrin pjesë 136 kadetë të Policisë së Kosovës dhe 14 pjesëtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës.