Nis shënimi i Eksodit të vitit 1999
Mitrovicë, 15 prill - Me moton Mos e harroni të kaluarën, për një të ardhme të sigurt drejt bashkimit kombëtar, nga oborri i ndërtesës së komunës, sot është nisur shënimi i Eksodit të vitit 1999, kur policë, ushtarë e paramilitarë serb dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre mijëra mitrovicas.
Me rastin e nisjes së aktiviteteve në shënimin e kësaj dite, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka takuar Këshillin Kombëtarë të OJQ-së Eksodi99, që është organizator i shënimit të përvjetorit.
Për të gjitha aktivitetet që janë paraparë për dy ditë radhazi, për të shënuar këtë ngjarje të madhe historike, ai është njoftuar nga anëtari i këshillit, Haki Shyti, i cili në emër të këshillit ka falënderuar kryetarin Bahtiri për mbështetje.
Kryetari Bahtiri, ka rikujtuar eksodin e 99, duke thënë se, fatkeqësisht mitrovicasit ishin ata që më së shumti e përjetuan këtë ngjarje, gjegjësisht dëbimin nga shtëpitë dhe pronat e tyre.
Ai përgëzoj Këshillin Organizativ për punën që ka bërë, duke ju uruar sukses, i bindur se ata do ta përfaqësojnë në mënyrën më të mirë Mitrovicën në Kukës të Shqipërisë, atje ku nesër do të mbahet manifestimi qendrorë me moton Faleminderit Kukës-Shqipëri. Bahtiri tha se, çdo herë do të jetë i gatshëm të mbështesë shënimin e kësaj ngjarje.