Nis seanca ndaj kryetarit Ramadan Muja
Prizren, 14 gusht - Në Gjykatën Themelore në Prizren sapo ka filluar seanca e dytë gjyqësore ndaj kryetarit Ramadan Muja dhe drejtorëve të tij. Gjykimi ka filluar me gjysmë ore vonesë, pasi që gjyqtari, Vladimir Nikula nuk është paraqitur me kohë në sallë.
Ruzhdi Berisha, avokat mbrojtës i Mujës ka kërkuar që provat matriale fillimisht të shikohen dhe në fund të komentohen. Me këtë propozim është pajtuar edhe gjyqtari i çështjes.
Kryetari Ramadan Muja dhe pesë drejtorët e e tij, dje janë deklaruar të pafajshëm. Muja ka deklaruar para trupit gjykues se është i pafajshëm, shkruan Prizrenipress. Jam i pafajshëm, tha Muja. Të pafajshëm kanë deklaruar edhe drejtoret e tjerë.
Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, i rëndon një aktakuzë 21 faqesh, me të cilën ai dhe Sadik Paçarizi drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademaj ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimeri ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejeci drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqi drejtor i Administratës, akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare në dhënien e disa pronave shoqërore në shfrytëzim për disa kompani, me qëllim të përfitimit personal.