Nis qarkullimi me dokumente te Kosovës në Serbi
Prishtinë, 9 janar - Policia e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se qarkullimi në pikën kufitare në Merdar është rregulluar.
Sipas informacioneve që ka Policia e Kosovës, pas orës 15, pala serbe ka filluar të lëshojë qytetarët e Kosovës të cilët kanë udhëtuar me letërnjoftime të Kosovës, bënë të ditur RTK.
Deri në këtë kohë kalimi i udhëtarëve me letërnjoftim të Republikës së Kosovës për në Serbi ka qenë i bllokuar.
Zyrtarët e Policisë së Serbisë në pikën kufitare në Merdare u kanë thënë udhëtarëve se nuk mund të hyjnë më dokumente të Kosovës për shkak të problemeve në sistemin për regjistrimin e të dhënave.
Nga ana tjetër, kreu i opozitës Isa Mustafa është shprehur skeptik se marrëveshja për lëvizjen e lirë do të implementohet pasi kjo nuk ka kaluar përmes Kuvendit të Kosovës.
Ne e kemi shprehur mosbesimin tonë dhe kemi thënë se është e vështirë të miratohen ato pa aprovimin e Kuvendit. E kjo ka pasoja për qytetarët të cilët nuk po lejohen të kalojnë përmes Serbisë, ka thënë Mustafa.
Sipas Mustafës, përgjegjësinë për këtë që po u ndodh qytetarëve duhet ta marrin ata që e kanë bërë këtë marrëveshje, duke aluduar kështu në Qeverinë e Kosovës