Nis punimet konferenca e Asamblesë Parlamentare të NATO

Tiranë, 23 prill - Nën organizimin e Kuvendit të Shqipërisë në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Tiranë, të hënën ka filluar konferenca treditore me temë: Mbrojtje e zgjuar - bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal midis vendeve të Evropës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve të mbrojtjes.
Kjo konferencë është organizuar në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Në konferencë po marrin pjesë delegacionet në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga Shqipëria, Austria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Hungaria, Italia, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia.
Në këtë konferencë po merr pjesë edhe një delegacion nga Kuvendi i Kosovës (Sabri Hamiti, Petar Miletiq dhe Ahmeti Isufi), i kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, i cili pjesëmarrësve u është drejtuar me një fjalë rasti.
Të pranishëm në këtë konferencë janë edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, dr. Karl Lamers, presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, David Hobbs, ambasadorët e akredituar në Tiranë, ministra shqiptarë etj.
Në ditën e parë të konferencës, fjalën përshëndetëse do ta mbajë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e më pas kryeministri Sali Berisha, si edhe David Hobbs, Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Pas incidenteve të fundit në veri të Kosovës, pritet që pala serbe të jetë e pranishme në këtë takim që organizohet nga NATO-ja.