Nis fushata kundër trafikimit me qenie njerëzore
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë së hapja e kësaj konference që shënon fillimin e muajit kundër trafikimit me qenie njerëzore, tregon qartë përkushtimin e lartë që ka Qeveria e Kosovës si dhe të gjitha institucionet tjera relevante të adresojnë dhe luftojnë këtë dukuri negative në shtetin dhe shoqërinë tonë.
Ne jemi të njohur me ashpërsinë e fenomenit të trafikimit njerëzor, që vendi ynë po përballet dhe i kemi kushtuar vëmendje të veçantë. Kosova dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuara që të luftojnë këtë dukuri negative dhe të arrijmë rezultate edhe më të mëdha, tha Thaçi.
Qeveria sipas tij ka treguar që është e angazhuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, këtë gjë e provon edhe renditja e shtetit të Kosovës në raportin vjetor kundër trafikimit me qenie njerëzore që publikohet nga Departamenti i Shtetit.
Kosova në këtë raport rangohet në shkallë të njëjtë edhe me disa shtete të Bashkimit Evropian dhe vende anëtare të NATO-s.
Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Jacobson, vuri në pah ngecjen e institucioneve të vendit për ndjekjen penale të atyre që merren me këtë dukuri negative. Me këtë u pajtua edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi:
Ka pasur edhe disa ngecje të strategjisë së kaluar. Ngecje ka pasur veçanërisht në objektivat e ndëshkimit të persovane që merren me trafikim të qenieve njerëzore. Pra, i mbetet gjyqësoret që ta përforcojë punën e vet në këtë drejtim.
Prokuroria e shtetit, gjithashtu, po bën përpjekje që të ketë rezultate konkrete në këtë drejtim, u tha në këtë konferencë. Ftesë iu bë edhe mediave të vendit që të kontribuojnë në vetëdijësimin e qytetarëve në luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, theksoi se lufta kundër krimi të organizuar në përgjithësi dhe e trafikimit me qenie njerëzore në veçanti, është një ndër prioritet kryesore të Qeverisë së Kosovës. Fenomeni i krimit të organizuar ngërthen në vete shumë sfida në shoqërinë kosovare dhe për mekanizmat e shtetit.
Rezultatet në luftimin e trafikimit janë inkurajuese, puna dhe përkushtimi i institucioneve të Kosovës, në parandalimin dhe luftimin e kësaj forme të krimit të organizuar është reflektuar në të gjitha raportet të institucioneve ndërkombëtare relevante, duke përfshirë raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, tha ministri Rexhepi.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, vuri në dukje se trafikimi me qenie njerëzore është një lloj i skllavërisë moderne, ku gjithmonë preken grupet më të ndjeshme, siç janë fëmijët, prandaj fushata e këtij viti në Kosovë përqendrohet drejtë fëmijëve.
Luftimi i trafikimit me qenie njerëzore është prioritet kryesor si politik ashtu edhe i agjendës tonë për Kosovën dhe ne në punët tona i përkrahim institucionet e Kosovës dhe Koordinatorin Nacional Kundër Trafikimit në mënyrë që ti dizajnojmë politikat dhe rregullat që janë për përmirësimin ndaj luftës së kësaj dukurie, theksoi Zhbogar.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëkohësisht Koordinator Nacional Kundër Trafikim, Sasa Rasic tha se trafikimi me njerëz është fenomen i karakterit global, të cilit nuk i shmanget Kosova dhe është një formë e krimit të organizuar prezent, ku prek direkt apo indirekt të gjithë shoqërinë kosovare.
Kjo formë e krimit të organizuar në pjesën më të madhe të shoqërisë prek fëmijët dhe gratë, ku janë më së shpeshti viktima të këtij krimi të rëndë, i cili e dehumanizon dhe i shkel të drejtat elementare të njeriut dhe dinjitetin e tij."
"Kjo kampanjë do të ketë karakter intensiv, duke i përfshirë institucionet nivelit qendror dhe lokal me përkrahje të plotë të partnerëve ndërkombëtarë dhe synon të arrijë një efekt afatgjatë në vetëdijesimin dhe sensibilizimin e opinionit, tha Rasic.