Nis fushata kundër të shtënave me armë
Prishtinë, 7 nëntor - FIQ, në bashkëpunim me Saferworld dhe partnerët nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, gjatë muajit nëntor 2012, organizojnë fushatën kundër armëmbajtjes dhe përdorimit të armëve.
Qëllimi i kësaj fushate është sensibilizimi i qytetarëve për pasojat (përfshi ato tragjike) nga përdorimi i armëve (të shtënave), dhe sensibilizimi i institucioneve për zbatim efikas të Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për Armë.
Ndër objektivat kryesore të fushatës është diskutimi publik rreth pasojave për njerëzit si rezultat i armëmbajtjes dhe përdorimit të armëve, rritja e efikasitetit dhe performancës së institucioneve në parandalimit e armëmbjatjes dhe përdorimit të armëve dhe rritja e përkrahjes së qytetarëve në kundërshtimin e dukurisë së përdorimit të armëve.
Gjatë muajit nëntor 2012, FIQ bashkë me organizatat partnere, parashohin aktivitete të shumta dhe të ndryshme, të cilat do të rezultonin me arritjen e objektivave të synuara. Ndër aktivitetet kryesore është mbajtja e tryezave konsultuese nëpër komuna për rishikimin e strategjisë për kontrollë dhe grumbullim të armëve.
Statistikat në ndërkohë tregojnë për numër të lartë të plagosurish dhe jetë të humbura për periudhën janar-tetor 2012, statistika të cilat me një ngritje të vetëdijes së qytetarëve dhe funksionimit të mirëfilltë të institucioneve gjegjëse, do të mund të uleshin.
Mbi 80% e dënimeve për armembajtje pa leje dhe përdorim të armëve, janë dënime me gjobë, ndërkohë që ligji respektiv, parasheh edhe dënimin me burg prej 1-10 vite.
Pra, është Koha për veprim nga institucionet, që ti themi mjaft kësaj dukurie të rrezikshme, e cila pa mëshirë gjymton njerëz, merr jetë njerëzish dhe dëmton imazhin tonë.
Specifika e kësaj fushate është se përveç që u drejtohet njerëzve, u drejtohet edhe institucioneve sic janë gjykatat në këtë rast, që mos të veprojnë asgjë jashtë ligjit, pra kërkohet vetëm respektim dhe zbatim i ligjit ekzistues.