Nis aksioni për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në veri
Operacioni po zhvillohet nën masa të larta sigurie dhe nuk është dhënë asnjë detaj i planit, që parasheh vendosjen e rendit dhe kontrollit në dy pikat kufitar dhe më pas edhe në zonën veriore të Kosovës.
Rruga në pikën kufitare Jarinje është bllokuar me kamionë nga serbët, të cilët nuk duan praninë e autoriteteve kosovare në doganat kufitare.
Policët dhe doganierët e Kosovës, bashkërisht me EULEX-in dhe KFOR-in do të fillojnë implementimin e planit operacional, për funksionalizimin e pikave doganore 1 dhe 31.
Plani operacional është hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe në koordinim e mbështetje të plotë me SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe EULEX-in, dhe tashmë edhe publikisht ka marrë mbështetjen e tyre.
EULEX ka thënë se do të kryejë punët policore dhe doganore në portat 1 dhe 31 e qe kjo sipas EULEX do të bëhet në përputhje me mandatin ekzekutiv që ka misioni.
Në fakt, kjo do të thotë që EULEX-i do të ndihmojë implementimin e marrëveshjes për vula doganore të arritur më 2 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Marrëveshja për vulat doganore ishte pjesa e fundit që mungonte për të lansuar një sistem të mirëfilltë doganorë, të cilin ne edhe e synojmë. Kosova, nën administrim të UNMIK-ut, që nga viti 2000 është bërë një zonë doganore, dhe është trajtuar nga BE-ja gjithmonë si e tillë.
Nderkaq gjatë natës tërë veriu ka qenë nën barrikada të vendosura nga serbët. Barrikadat janë të vendosura nga ura qendrore e lumit Ibër në Mitrovicë deri në Rudare dhe Zupç.
Një karvan prej pesë transportuesve të KFOR-it polak është ndaluar mbrëmë në një barrikadë dhe nuk është lejuar që të kalojë për të shkuar në bazën ushtarake Notting Hill në Mitrovicë.
Ndërkohë, burime për agjencinë e lajmeve INA kanë raportuar se gjatë natës edhe shqiptarët në Lagjen e Boshnjakëve dhe tek Kroi i Vitakut kanë qenë nën tension dhe duke bërë roje, për shkaqe sigurie nga situata e krijuar në veriun e Kosovës.
Pas mesnate në Kosovë është regjistruar edhe hyrja e ministrit serb të Kosovës, Goran Bogdanoviq dhe negociatorit serb Borko Stefanoviq , të cilët kanë vizituar një barrikadë në afërsi të vendkalimit Jarinjë.