Ngritet aktakuzë për vepër penale krim i organizuar
Prishtinë, 5 qershor Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë të zgjeruar kundër të pandehurit Fatmir Musliji, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për vepër penale Krim i organizuar, nga neni 274 paragrafi 3 lidhur me veprën penale Blerje posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotropike, nga neni 229 paragrafi 4 dhe nën paragrafi 2 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.
I pandehuri Musliji akuzohet se gjatë gjysmës së parë të muajit dhjetor 2008, ka organizuar transportimin dhe shitjen e 2 kg heroinë në Mynchen. Gjatë muajit janar 2009 ka organizuar transportin dhe shitjen e 7.5 kg heroinë, personave të ndryshëm në Mynchen. Në fund të muajit janar 2009, ka organizuar transportimin dhe shitjen e 12.339,5 kg heroinë në Mynchen. Gjatë gjysmës së parë të muajit shkurt 2009 ka organizuar transportimin dhe shitjen e 7.5 kg heroinë, personave të ndryshëm në Mynchen. Ndërkaq, gjatë muajit shkurt 2009 Musliji e ka organizuar transportimin dhe shitjen e 10.910 kg heroinë, personave të ndryshëm në Mynchen.
Ky zgjerim i aktakuzës ndërlidhet me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 12.12.2013 kundër të pandehurit Fatmir Muslijit dhe disa të tjerëve.
Zgjerimi i aktakuzës është bërë pas pranimit të një pjesë të provave, të kërkuara nga prokurorja e rastit, për ndihmë ndërkombëtare juridike nga autoritetet Gjermane.
Aktakuza është ngritur nga një prokurore vendëse e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.