Ngritet aktakuzë kundër Sami Gashi dhe Rushit Berisha
Prishtinë, 18 qershor - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë, pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj kundër të pandehurve: Sami Gashi dhe Rushit Berisha, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, nga neni 283 paragrafi 2, lidhur më paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur më veprën penale Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, nga neni 273 paragrafi 2 lidhur më paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ekziston dyshimi i bazuar se nga muaji korrik i vitit 2013 e deri me arrestimin e tyre, më 5 shtator 2013, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, në bashkëpunim më të pandehurit: L.M., M.D. dhe V.D., të cilët janë arrestuar në Zvicër, si dhe me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore financiare, pa pasur autorizim kanë blerë dhe poseduar më qëllim të shitjes substanca narkotike të llojit marihuanë në sasi prej 122.4 kg.
Sasia e narkotikut marihuanës prej 102.4 kg është sekuestruar nga autoritetet e Republikës së Kosovës, ndërkaq sasia tjetër mbi 20 kg është sekuestruar nga autoritetet e Zvicrës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit të shpallen fajtor për veprat penale që u vihen në barrë dhe të dënohen sipas Ligjit.
Gjithashtu të konfiskohet banesa e cila gjendet në Peje, e cila është shfrytëzuar nga i pandehuri Sami Gashi dhe ia ka mundësuar të njëjtit kryerjen e veprës penale, e gjithashtu të konfiskohet edhe sasia e narkotikut e llojit marihuanë në sasi prej 102.04 kilogram që është sekuestruar gjatë hetimeve nga Policia e Kosovës.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.