Ngritët aktakuzë kundër ish gjyqtarit Kolë dhe Zef Puka
Prishtinë, 6 gusht - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Kolë dhe Zef Puka.
I pandehuri Kolë Puka dyshohet se është marrë me aktivitet kriminal nga viti 2002- 2009, duke keqpërdorur pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale në Klinë, në atë mënyrë që gjatë aktivitetit kriminal ka përfituar mjete financiare në shuma milionëshe, duke kryer veprat penale: Shpëlarje e parave nga neni 32 par. 2 pika 2.1, 2.2, 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, lidhur me veprën penale Shpërdorimi i Pozitës Zyrtar ose i Autorizimit nga neni 339 par 1 lidhur me par 3 të Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkaq, i pandehuri Zef Puka dyshohet se e ka ndihmuar, të pandehurin Kolë Puka, për ti fshehur pasuritë e fituara në mënyrë të kundërligjshme, duke kryer veprën penale: Shpëlarja e parasë nga neni 32 par 2 pika 2.1, 2.2, 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka propozuar Gjykatës që të konfiskoj pasuritë dhe mjetet financiare të fituara nga shitja e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.