Ngrihet 5 aktakuza kundër Limajt e të tjerëve
Prishtinë, 26 korrik - Prokuroria speciale e EULEX ka ngritur aktakuzë kundër deputetit dhe nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj, shkruan sot e përditshmja Koha ditore.
Burime pranë kësaj gazete kanë bërë të ditur se akuza ndaj Limajt përmban pesë pika. Prokurori italian Maorizio Salustro ka ngritur aktakuzën duke e akuzuar Limajt për krime lufte të kryera gjatë dhe pas luftës së vitit 1999 në Kosovë kundër të burgosurëve të luftës dhe se mbi të rëndojnë pesë pika të aktakuzës, dy për krime lufte kundër popullatës civile dhe tri pika për krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që përfshin edhe vrasjen.
Nënkryetari i PDK-së, Limaj ka theksuar kohë më parë se është i gatshëm që të ballafaqohet kurdoherë me drejtësinë dhe se sipas tij, këto akuza kanë për qëllim që të dëmtojnë kredibilitetin dhe reputacionin e tij si politikan.
Së fundi si çështje problematike për këtë rast është bërë heqja e imunitetit të deputetit të Limaj, të cilën gjë e ka refuzuar Parlamenti i Kosovës. EULEX-i ka kërkuar nga Parlamenti që të nxjerrë një rezolutë përmes së cilës Qeveria të kërkojë sqarime nga Gjykata Kushtetuese, por që është refuzuar nga ana e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.