Nga viti 2001 ka rënie të trafikimit me qenie njerëzore
Prishtinë, 6 tetor Ministria e Punëve të Brendshme organizoi debat me studentët e Universitetit të Prishtinës për dukuritë e trafikimit me qenie njerëzore
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhelili theksoi me krijimin e mekanizmit shtetëror kundër trafikimit me qenie njerëzore, statistikat për viktimat e trafikimit që nga viti 2001 tregojnë rënie. Derisa në vitin 2001 kanë qenë 173 viktima të trafikimit, vitin e kaluar 29 viktima, ndërsa këtë vit deri tash janë 28 viktima të trafikuara. Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka kontrolluar 589 lokale të dyshuara, nga të cilat 86 prej tyre janë mbyllur.
Është hartuar Strategjia dhe plani i veprimit kundër trafikimit me qenie njerëzore në Republikën e Kosovës dhe është ndarë në tri shtylla kryesore; parandalimin, hetimin dhe ndëshkimin. Gjithashtu nga kjo strategji kanë dalë edhe dokumente bazë, ku janë aplikuar procedurat standarde te veprimit për viktimat e trafikimit në Kosovë dhe standardet minimale për kujdesin ndaj viktimave te trafikimit, tha ai.
Mujë Rugova, rektor i Universitetit të Prishtinës tha se ky është ndër takimet për diskutim të çështjeve më të ndjeshme që e prekin shoqërinë kosovare, e cila është në një fazë ku trafikimi i qenieve njerëzore, ka zënë rrënjë edhe në Kosovë.
Universiteti i Prishtinës me tërë stafin e tij akademik mësimor të të gjitha niveleve dhe me potencialin shumë të fuqishëm të rinisë studentore, duhet të jetë në këmbë për të luftuar në çdo hap këtë të keqe, e cila nuk e ka përfshirë vetëm Kosovën dhe Ballkanin, por edhe më gjerë. Ne si shteti më i ri në botë, kemi detyrim para qytetarëve dhe duhet të jemi në nivel të duhur, në luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore, tha Rugova.