Nga sot kufiri Kosovë-Maqedoni mund të kalohet me letërnjoftime
Në këtë ceremoni morën pjesë: zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Valdet Hoxha, zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, z. Agim Nuhiu, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, z. Refki Suma dhe përfaqësues të policive kufitare të dy vendeve.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Valdet Hoxha, theksi se sot me këtë ceremoni po formalizohet në praktikë realizimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedoninë, për kushtet e udhëtimit me letërnjoftime për shtetasit e të dy vendeve.
Republika e Kosovës tashmë ka përqafuar konceptin e Bashkimit Evropian të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, për objektivat e saj strategjike. Natyrisht që kemi si synim anëtarësimin në BE dhe në këtë kontekst marrëveshja e cila është arritur ndërmjet dy qeverive, është në frymën e bashkëpunimit rajonal, si një ndër kushtet e nevojshme dhe të domosdoshme për një fqinjësi të mirë në mes të dy vendeve tona, tha Hoxha.
Zëvendësministri Hoxha, vuri në dukje se kjo marrëveshje mundëson lehtësimin e procedurave të të dyja vendeve dhe po ashtu janë pajtuar edhe për hapjen e një pike të përbashkët të kalimit kufitar, e cila është në fazën e finalizimit. Ai tha se ky bashkëpunim po bëhet me qëllim të shërbimit të politikave lehtësuese në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë.
Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, z. Agim Nuhiu, tha se shënimi i këtij evenimenti tregon për bashkëpunimin e vendosur dhe të institucionalizuar bilateral ndërmjet të dy vendeve.
Bashkëpunimi bilateral dhe rajonal kërkon një revidim të vazhdueshëm të politikave në fushat të cilat në mënyrë direkte i prekin shtet tona, ndryshime dhe harmonizim të mëtutjeshëm në pajtim me legjislacionin evropian, forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit të institucioneve kompetente, shkërbim të eksperiencave dhe praktikeve më të mira, tha Nuhiu.
Zëvendësministri Nuhiu, tha se me fillimin e funksionalizimit e marrëveshjes do të ketë lehtësim të udhëtimit për qytetarët e të dyja vendeve, duke i marrë parasysh edhe lidhjet e afërta tradicionale, familjare dhe miqësore, si dhe nevoja për kalim më të shpeshtë të kufirit të personave të zonës kufitare.