Nëse Shqipëria nuk pranon, armët kimike shkojnë në Kosovë
Prishtinë, 15 nëntor - Nëse Shqipëria nuk pranon shkatërrimin e armëve kimike, kjo gjë do t\'i kërkohet Kosovës.
Gazeta \"Express\" ka mësuar se tashmë pothuajse është i sigurt refuzimi që Qeveria shqiptare do t\'i bëjë depozitimit dhe shkatërrimit të armëve kimike të Republikës së Sirisë.
Disa burime bëjnë të ditur se si opsion i dytë, në rast se Shqipëria refuzon, do të mbetet si mundësi Republika e Kosovës.
Ka pasur diskutime të kësaj natyre edhe në vendet e NATO-së. Ekzistojnë dy mundësi, që ato armë kimike për momentin të depozitohen në strehimet e aeroplanëve ushtarak nën malin e Goleshit, ose si mundësi e dytë shkatërrimi i tyre në furrat e shkritores së Trepçës, thonë burimet.
Sipas të njëjtave burime Qeveria e Kosovës nuk e ka përjashtuar tërësisht ketë opsion, por ka përmendur investime në fushën e mbrojtjes së ambientit, si kompensim për ketë shërbim që po i bëhet në zgjidhjen e këtij ngërçi ndërkombëtar.
Arsyeja përse është gjetur Kosova në këtë kombinim, thuhet sipas burimeve të mirëinformuara, janë raportet e mira që Qeveria e Kosovës ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në rast se kryhet ky shërbim, mund të ndodhë edhe ndonjë njohje e rëndësishme, që deri më tani nuk është përmendur.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministri Hoxhaj prej ditës kur ka filluar konflikti në Siri ka qenë vazhdimisht aktiv me komunikata të ndryshme, duke e krahasuar atë konflikt me luftën në Kosovë.
/Express/