Nëse Kurti e Haxhiu nuk paraqiten, prokurori lëshon urdhërarrest
Prishtinë, 22 tetor - Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konstatuar së ftesat e dërguara në adresë të të pandehurve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, nuk kanë mundur që të dorëzohen në mënyrë të rregullt, siç e parashohin dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, andaj Prokuroria do të provoj sërish, dorëzimin e ftesave për të njëjtit, në bazë të nenit 151 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, për tu paraqitur para prokurorit të shtetit, për të dhënë deklaratat e tyre lidhur më dyshimet që ju vihen në barrë.
Mirëpo sipas prokurorisë të njëjtit mund të paraqesin ankesë te gjyqtari i procedurës paraprake për të vendosur mbi ligjshmërinë e detyrimit të tyre për tu paraqitur para prokurorit të shtetit.
Prokuroria thekson se nëse të pandehurit, në rastin konkret Kurti dhe Haxhiu, të cilët janë thirrur me rregull nuk paraqiten dhe nuk e arsyetojnë mungesën e tyre ose kur thirrja nuk ka mundur tiu dërgohet sipas rregullit dhe kur sipas rrethanave është e qartë se të pandehurit i shmangen pranimit të thirrjes, sipas dispozitës së nenit 175 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, gjyqtari i procedurës paraprake më kërkesë të prokurorit të çështjes lëshon urdhërarrest.
Gjithashtu, njoftojmë opinionin së Prokuroria Themelore në Prishtinë pas tentimit për dorëzimin e ftesave të para për të pandehurit Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, nuk ka lëshuar autorizim për arrestim ose aktvendim për ndalim kundër këtyre të pandehurve lidhur më ngjarjet në Kuvendin e Kosovës të dates 08.10.2015, por përkundrazi do të provoj tu jap edhe një rast tjetër për tu paraqitur në prokurori, në mënyrë që të njëjtit të kontribuojnë në zhvillimin dhe përfundimin normal të procedurës penale, në bazë të ligjeve të cilat i kanë votuar vet si deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.