04 Maj 2024

Nepotizëm edhe në Policinë e Kosovës

Prishtinë, 23 janar - Nepotizmi në institucionet publike është bërë dukuri shqetësuese për qytetarët. Në Policinë e Kosovës vitin e kaluar janë punësuar 30 të rinj në pozitën `Asistent administrativ`.

Në një hulumtim të bërë nga RTK-ja del se shumica prej tyre janë familjarë të pjesëtarëve të policisë në pozita udhëheqëse.

Policia e Kosovës nuk jep detaje rreth emrave që tashmë janë pozicionuar në këtë institucion me arsyen se:

”Zyrtarët e përzgjedhur janë caktuar në pozita të ndryshme brenda PK-së dhe duke marrë parasysh natyrën e punës nuk mund të bëhen publikë emrat e tyre, pasi kjo është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Megjithëkëtë, ata emra kanë qenë të publikuar në faqen e policisë për një kohë të gjatë.

Për tridhjetë vende pune në pozitat e lartpërmendura në Policinë e Kosovës, aplikuan 2.567 kandidatë. Elizabeta Arifi Deliu nga Prishtina ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore për anëtarët e Komisionit Intervistues për Punësim të Shërbyesve Civilë në Policinë e Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale si konflikt interesi, keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit, cenim të të drejtave të punësimit, diskriminim dhe kurdisje të rezultateve.

Ajo thotë se ky rast e ka zhgënjyer shumë, ngase nuk e ka pritur që nepotizmi dhe korrupsioni të ndodhin në një institucion që bën thirrje për ruajtjen e rendit dhe ligjit.

Gjatë hulumtimit, RTK-ja siguroi një dokument me emrat e të punësuarve. Shumica nga ta ishin fëmijë dhe familjarë të pjesëtarëve të policisë që janë në poste udhëheqëse.

Këta janë emrat sipas burimeve të RTK-së:

1. F. S. (djali i kapitenit) i 16-ti në listën e të pranuarve

2. B. S. (motër e rreshteres) e 10-ta në listën e të pranuarve

3. M. M. (vajza e pjesëtarit të Task Forcës) e 12-ta në listën e të pranuarve

4. F. K. (e afërt e nënkolonelit) e 6-ta në listën e të pranuarve

5. A. O. (vajza e policit) e 8-ta në listën e të pranuarve

6. A. G. (e afërt e ish-ministrit) e 23-ta në listën e të pranuarve

7. A. G. (djali i rreshterit) i 22-ti në listën e të pranuarve

8. V. P. e 19-ta në listën e të pranuarve

9. H. K. (gruaja e kapitenit) e 5-ta në listën e të pranuarve

10. P. B. (djali i anëtarit të komisionit) i 9-ti në listën e të pranuarve

Nën dyshimin për parregullsi gjatë pranimit të tridhjetë asistentëve administrativë në Policinë e Kosovës, po zhvillohen hetime edhe nga Inspektorati Policor si organ mbikëqyrës i policisë.

Jetullah Aliu, drejtor i hetimeve në IPK, thotë se nëse përfundimi i hetimeve tregon se ka pasur shkelje, Inspektorati do të marrë të gjitha masat ndajë zyrtarëve policorë, duke mos lejuar në asnjë mënyrë që të dëmtohet imazhi i policisë si njëri nga institucionet më të besueshme në vend për mbrojtjen e rendit.

/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)