Nëntë serbë të akuzuar për vrasje gjatë luftës në Kosovë
Beograd, 12 shtator - Prokuroria serbe për krime të luftës ka ngritur aktpadi kundër nëntë ish paraushtarakëve serbë për vrasjen e mbi 40 civilëve shqiptarë në fshatin Qyshk të komunës së Pejës në Kosovën perëndimore.
Të gjithë këta akuzohen se në maj të vitit 1999 në fshatin Qyshk kanë kryer një nga krimet me të rënda të luftës në Kosovë.
Ata akuzohen për vrasje, përdhunime, shkatërrim të pronës dhe plaçkitje me qëllim të frikësimit të civilëve shqiptarë në mënyrë që ti detyrojnë ata të largohen nga vendbanimet e tyre dhe të shpërngulen në Shqipëri.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, pjesëtar të njësive paraushtarake të njohura si Çakajt , \"janë treguar skajshmërisht të dhunshëm dhe të pamëshirshëm\", ndërsa kanë djegur më pas trupat e viktimave për të penguar identifikimin e tyre.
Në mesin e të vrarëve në këtë ngjarje ishte edhe Hasan Çeku, babai i ish kryeministrit të Kosovës Agim Çeku dhe disa anëtarë të familjes së tij.
Në njoftimin e prokurorisë serbe thuhet se në këtë ngjarje janë të përfshirë edhe 17 të dyshuar që ndodhen në arrati dhe se ndaj tyre janë lëshuar fletarrestime nëpërmjet Interpolit.
Mbi 10 mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë e cila mori fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.